Bylisi, vjen Tairi, mesfushori “zbarkon” në Pogradec

Flamur Tairi i bashkohet Bylisit në Pogradec. Mesfushori dje ka nisur stërvitjen me skuadrën ballshiote dhe pritet që në ditët e ardhshme, ai të firmosë edhe kontratën. Shqiptari nga Maqedonia nuk është një emër i panjohur për kampionatin tonë, pasi për tre sezone ka luajtur te Teuta (2010-2013). Sakaq, skuadra ka vijuar përgatitjet në qytetin liqenor edhe dje, duke shtyrë edhe për pak ditë qëndrimin në Shqipëri.

Ballshiotët do të zhvendosen drejt Maqedonisë në ditët e ardhshme, pasi ekipi për momentin vazhdon të stërvitet në Pogradec. Ekipi i drejtuar nga trajneri Agim Canaj ka barazuar së fundmi 2-2 në miqësoren ndaj Pogradecit. Ky test i fundit tregoi që grupi është ende në fazë punimesh, kështu që ende nuk është krijuar skuadra e duhur për një paraqitje serioze në Superiore. Për të krijuar një grup solid, ballshiotët vazhdojnë të jenë aktivë në merkato duke vëzhguar lojtarë që mund të afrohen në ekip. Barazimi me Pogradecin duket se i ka bindur edhe me shumë drejtuesit e klubit, që Bylisi ka nevojë të bëjë ndërhyrje të tjera në merkato, në mënyrë që të afrohen lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë në Superiore. Gjithashtu priten përforcime edhe nga tregu i huaj, ku e shkuara ka treguar se drejtuesit e Bylisit kanë arritur të bëjnë goditje cilësore. Falë kësaj pune të drejtuesve, pritet që në ditët në vijim Bylisi të zyrtarizojë të tjera përforcime.