Spanjolli Rubio, trajneri i Bylisit

Më së fundi, drejtuesit e skuadrës ballshiote e gjetën trajnerin për skuadrën e tyre të Bylisit. Spanjolli Hulio Rubio Sançez do të jetë trajneri i ri i kampionëve të Kategorisë së Parë për sezonin e ri, që rikthehen pas një mungese të shkurtër sërish në Superligë.
Trajneri 63-vjeçar spanjoll është një emër i njohur dhe i suksesshëm në futbollin shqiptar. Para katër vitesh ai do të drejtonte bardheblutë e Tiranës, me të cilët do të fitonte edhe tre trofe, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë, për të drejtuar më pas për gjysmësezoni skuadrën kuqezi të Flamurtarit, ku do të dështonte. Që nga nga dhjetori i vitit 2012, kur është larguar nga Vlora, Rubio nuk e ka ushtruar më detyrën e trajnerit.
Mirëpo imazhi i suksesshëm i spanjolit, i ka bindur drejtuesit e klubit ballshiot, që pas refuzimit nga trajnerët shqiptarë Ilir Daja dhe Nevil Dede, caktimi i trajnerit Hulio Rubio Sançez në krye të pankinës së Bylisit, është alternativa më e mirë për të përmbushur ambiciet e tyre për të mos qenë në Superligë thjesht si kalimtarë.
Burime të sigurta të www.sportal.al, tregojnë se tekniku spanjoll Hulio Rubio Sançez, pasi ka pranuar akordin financiar me drejtuesit e klubit mallakastriot, pritet të vijë në Ballsh për të firmosur kontratën si trajner i Bylisit, sipas së cilës, do të përfitojë një pagë prej 3000 eurosh në muaj.