Oferta financiare e drejtuesve të Bylisit ka bindur trajnerin Ilir Daja që të pranojë bashkëpunimin për sezonin 2015-2016. Tekniku që ka fituar titullin kampion me Elbasanin dhe Dinamon është shprehur i gatshëm të marrë drejtimin e skuadrës, por ai ka vendosur kushte edhe në merkato.Pasi bëri vëzhgimin e skuadrës mallakastriote gjatë testit të zhvilluar të shtunën me AF Dinamo-n, Daja ka pohuar se këtij ekipi i duhen disa lojtarë që të përforcohet për sezonin e ri dhe që të arrijë në nivelin që kërkojnë drejtuesit e këtij klubi. Në objektivat e trajnerit janë 6-7 futbollistë, të cilët ai i njeh mirë dhe që i binden urdhrave të tij, ndërsa klubi duket se është i gatshëm të nisë bashkëpunimin edhe në këtë aspekt.Behet fjalë për lojtarë të ndryshëm që vijnë nga Kategoria Superiore apo e Para, të cilët janë në planet e trajnerit, por që edhe klubi i ka pasur në objektivat e tij për t’i afruar dhe nëse Daja nuk do të pranonte. Megjithatë, në ditët në vazhdim pritet që të arrihet akordi final, i cili do të zyrtarizohet me kontratën dypalëshe, e cila do t’i hapë rrugë bashkëpunimit 1-vjeçar.Aktualisht skuadra po stërvitet nga shefi i klubit, Iljaz Haxhia, dhe trajneri i portierëve, Ardian Balla. Pjesë e kontingjentit të skuadrës janë të gjithë lojtarët e sezonit të shkuar, duke përjashtuar dyshen Liçaj-Dhrami, të cilët nuk ishin në objektivat e skuadrës. Janë afruar brazilianët Pinto dhe Suarez, gjithashtu dhe Mahilaj nga Apolonia, të cilët janë në provë. Por, forma finale e skuadrës do të përcaktohet pas ardhjes së trajnerit, i cili me 99% do të jetë Ilir Daja.