Zylyftari firmos për katër sezone, Toçi për tre dhe Gava për dy, sot prezantohen. Ndërkohë që shumë shpejt priten afrime të lojtarëve që bëjnë diferencën dhe prezantimi i trajnerit Dede
Bylisi vazhdon që të afrojë lojtarë nga Superliga. Ashtu siç edhe pat paralajmëruar gazeta “Sport Ekspres” në numrin e djeshëm elbasanasit Orgest Gava dhe Mateos Toçi zyrtarisht janë bërë pjesë e ballshiotëve madje kanë nënshkruar edhe kontratat.
Kështu, Mateos Toçi për tre vite do të jetë pjesë e mallakastriotëve kurse shtatlarti Orgest Gava ka firmosur për dy vite. Të dy elbasanasit luajnë në mesfushë dhe kanë eksperiencë në Superligë me skuadrën verdheblu por kanë qenë edhe titullarë me ekipin Shpresa U-21.
Të dy kanë qenë në objektivin e merkatos së dy skuadrave të Superligës, Teuta dhe Tërbuni, por duket se ballshiotët i kanë bërë për vete, duke i joshur dhe duke bërë ofertën më bindëse.
Kuçovari Zylyftari – Ervis Zylyftari sulmuesi kuçovar, i cili ka qenë edhe një golashënues gjatë sezonit të shkuar në Kategorinë e Parë ka arritur që të firmosë për katër sezone tek Bylisi. Zylyftari ka dalë nga shkolla kuçovare e futbollit dhe shihet si një lojtar me perspektivë tek ballshiotët. Të tre lojtarët sot do të prezantohen nga drejtuesit e klubit ballshiot, siç ndodhi edhe me Ardit Peposhin pak ditë më parë.
Merkato – Klubi i Bylisit bën me dije se do të ketë pesë afrime madje bëhet fjalë për lojtarë të njohur të Superligës si dhe të huaj shumë cilësorë. Nga sa bëhet e ditur bisedimet janë duke përparuar dhe klubi do të bëjë zyrtarisht afrimin e tyre brenda kësaj jave.
Trajneri – Nevil Dede pritet që shumë shpejt të vi dhe të prezantohet në Ballsh. Skuadra ka arritur që të hyjë në fazën intensive të përgatitjeve ndërkohë që trajneri Dede pritet të shohë lojtarët në fazën përgatitore dhe të vendosë për ata që do të mbajë si pjesë të skuadrës që do të përfaqësohet në Superligë.