Bylisi i ri nis me rinovimet priten edhe 5 lojtare cilesore.

Bylisi vazhdon pushimet, por këtu flasim vetëm për lojtarët, pasi e njëjta gjë nuk mund të thuhet për drejtuesit. Këta të fundit po ideojnë skuadrën për sezonin e ri. Pas fitores së arritur në finalen ndaj Tërbunit dhe festës, lojtarët janë lënë të lirë dhe pritet që në njoftimin e radhës të grumbullohen sërish.
Drejtuesit kanë në plan për të ndërtuar një Bylis tepër cilësor për Superioren, pasi qëllimi i tyre është që të mos jenë “vizitorë”, por të mbeten gjatë në mesin e më të mirëve. Sezoni i ardhshëm do të nisë nga grupi aktual, pra nga lojtarët që mbyllën sezonin e suksesshëm. Do të ruhet kontingjenti kryesor, duke filluar nga protagonistë absolutë të së Parës, të cilët do të mbeten pjesë e organikës.
Në Ballsh, ka edhe një çështje rinovimesh, pasi një pjese të mirë të futbollistëve u mbaron akordi. Por duket se në këtë drejtim nuk do të ketë rrezik, pasi krerët e klubit do t’u ofrojnë zgjatje të marrëveshjes lojtarëve. Pas nuk mbetet as merkatoja, e cila do të zërë një vend të rëndësishëm në strategjinë e mallakastriotëve. Grupi do të përforcohet me kualitete, ku nuk do të mungojnë edhe emrat e mëdhenj. E megjithatë koha premton, ndaj presidenca nuk do të nxitohet në këtë drejtim. Të ardhurat nuk mungojnë dhe ky fakt jep më shumë garanci për të ardhmen, pasi presidenti Agron Kapllanaj nuk ka ndër mend që të kursehet për të ndërtuar një ekip cilësor.

0 Comments