Bylisi rikthen vendësit për pankinën, qëndron 30% e skuadrës

Bylisi kthehet në Superiore pas një sezoni në Kategorinë e Parë. Mirëpo, ende pa kaluar shumë ditë nga shpallja kampion në këtë kategori dhe dalja në elitë, drejtuesit kanë nisur të mendojnë për të ardhmen. “Telesport.al” zbulon planet e së ardhmes, teksa pas shumë vitesh pankina do të jetë 75% ballshiote.

Ish-futbollistët e Bylisit, Luan Asllani dhe Ermal Nexhipi do të jenë në skuadër, gjithashtu pritet të afrohet dhe Mariglen Kule. Asllani do të marrë rol në administratën e klubit, ndërsa Nexhipi pas një sezoni te Tërbuni rikthehet në Ballsh për vendin e trajnerit të portierëve. Përsa i përket Kules, ky i fundit është aktualisht trajner tek ekipi i të rinjve të Apolonisë, por pritet që në ditët në vijim të bashkohet me ekipin mëmë. Kule zotëron dhe liçensë trajningu që mund të drejtojë në elitë.
Luan Asllani
Foto: Luan Asllani, ish-futbollist i Bylisit
Përsa i përket pjesës më të rëndësishme, trajnerit të skuadrës, po diskutohen dy pista. Ajo e teknikut shqiptar dhe të huaj. Pëlqehet ish-trajneri Naxhi Shensoj me të cilin Bylisi shkoi në sezonin 2012-2013 në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia e rikthimit edhe të Emanuel Egbo, i cili e drejtoi këtë skuadër në sezonin 2013-2014. Përsa i përket pistës vendase, emrat janë të shumtë, por ende nuk ka konkluzion.
ermal Nexhipiii
Foto: Ermal Nexhipi, trajneri i ri i portierëve të Bylisit
Në ditët në vijim do të firmosen dhe kontratat, ku klubi parashikon të mbajë më pak se gjysmën e kontigjentit të lojtarëve, rreth 30% të kontigjentit akual. Por, do të jetë trajneri i ri ai që do të vendosë saktësisht se kush do të jetë pjesë e mallakastriotëve edhe në elitë. Por, burime pranë klubit bëjnë me dije se vetëm pak emra e kanë vendin e sigurtë për sezonin e ardhshëm në Superiore.
Burimi:Telesport.al

0 Comments