Mesi: Ja pse Boatengu u rrëzua në atë mënyrë

Lionel Mesi magjepsi të gjithë botën me paraqitjen e zhvilluar dhe me golat e shënuar kundër Bajernit të Mynihut. Sidomos i dyti, jo vetëm për nga rëndësia, por edhe mënyra e ekzekutimit. Një driblim dehës ndaj Boatengut, i cili u rrëzua në tokë sikur të kishte pësuar një grusht të rëndë në fytyrë, ndërsa më pas ia kaloi topin sipër kokës Nojerit. Fenomenal.
“T’ju them të drejtën, nuk e mbaj shumë mend golin e dytë. Ndodhi shumë shpejt. Gjithçka brenda një sekondë”, deklaroi argjentinasi. “Boatengun e driblova ashtu, pasi e dija që ai priste të gjuaja me këmbën e majtë, duke qenë se është edhe më e preferuara ime. Për atë arsye nuk gjuajtja. Pjesa tjetër ishte instiktive”, shtoi ai.
Një fitore 3-0 është e mjaftueshme për të menduar se ke prekur biletën e kualifikimit. Gjithsesi, Mesi nuk dëshiron që të pranojë se e kanë siguruar pjesëmarrjen në finalen e Champions-it. “Ne morëm një rezultat shumë të mirë, por nuk kemi arritur ende asgjë. Kanë mbetur edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur dhe në Mynih do të jetë e vështirë. Duhet të jemi gati për të”, ka shkruar në adresën e tij zyrtare në “Facebook”. Në rast eliminimi, do të ishte një prej zhgënjimeve më të mëdha për klubin katalanas. Aq më tepër që në Champions, vetëm një herë ka ndodhur që të përmbyset një fitore me tre gola diferencë.

0 Comments