Pellegrini e Van Gaal e kanë "Messin" e tyre

Të gjithë e duan Messin dhe do të jepnin gjithçka për të patur sado pak nga magjia e tij në skuadër. E tha pak a shumë Jose Mourinho se me argjentinasin që bën diferencën, çdo ekip mund të fitojë. 

Nga ana tjetër, Pellegrini e di shumë mirë që nuk mund t’i afrohet yllit të Barçës, ndaj përpiqet që të krijojë Messin e Manchester City me imazhin e Kun Agueros.

"Nuk e kemi Messin, por duhet të gjejmë një tjetër si ai dhe për mua është Kun Aguero. Ai mund të bëjë diferencën, ashtu si Ronaldo te Reali i Madridit. Projekti i këtij klubi është që të rritet çdo vit dhe në të njëjtën kohë unë shpresoj se do të përmirësohet edhe Aguero. Sezonin e ardhshëm ndoshta do ta shikojmë ndryshe, më të fortë dhe në të njëjtin nivel me lojtarët e Barçës", ka thënë Pellegrini.

Nëse për Pellegrinin, Messi i tij është Aguero, edhe Van Gaal duket se e ka gjetur sozinë e argjentinasit. Trajneri i Djajve të Kuq tha se Memphis Depay, i cili pritet të bashkohet me United nga PSV Eindhoven, është një makineri golash, që mund të luajë në të njëjtin pozicion, ashtu si ylli i Barcelonës. 

Madje Van Gaal shkoi deri aty në krahasimin e tij sa tha se 21-vjeçari është një futbollist i rrallë për kualitetet që ka, njëlloj se Leo Messi. /albeu.com/

0 Comments