Bylis kembengul se nuk ka gisht ne trukim. Flet presidenti Agron Kapllanaj


Bylis vazhdon të këmbëngulë se nuk ka gisht në trukimin e ndeshjes së javës së 11-të të Kategorisë Superiore, të humbur 4-2 në fushën e Tërbunit. Kryebashkiaku i Mallkastrës, Agron Kapllanaj, njëkohësisht edhe president i klubit garanton se ndeshja e mesjavës së kaluar nuk u manipulua. “Trukimet? Absolutisht është një ide që e përjashtoj në mënyrë kategorike. Nuk ndodh që Bylisi të bëhet pjesë e këtyre skemave e këtyre pislliqeve. Ekipi i Bylisit ka treguar që ka luajtur pastër dhe ju garantoj që s’ka pasur. Mund të ketë pasur një mosimpenjim të lojtarëve dhe kemi marrë masa duke i ndëshkuar me rrogën mujore, të cilën ekipi nuk e meriton”. Siguria e drejtuesit të skuadrës së Bylisit vjen pavarësisht se ai nuk e ka ndjekur ndeshjen, ndërsa i gjithë opinioni akuzoi dy ekipet për një estradë të turpshme, që dëmton futbollin elitar në vend. “Nuk kam mundur ta shoh ndeshjen as në Pukë dhe as në televizor për shkak të angazhimeve që kam pasur. Kontaktova me stafin, që më deklaruan se skuadra bëri një ndeshje për t’u harruar, që edhe ata e quajtën të turpshme”. Sipas Kapllanajt, paraqitjet jo të mira të ekipit lidhen me disa çështje, ku mes tyre konfirmoi problemet financiare rreth Bylisit. “Kemi pasur disa probleme si ai me trajnerin, që u largua prej disa javësh dhe nuk kemi arritur ta zëvendësojmë. Por, për hir të së vërtetës muajin e fundit kemi pasur edhe me pagat, pasi llogaritë e bashkisë janë të bllokuara. Unë i gjeta të bllokuara prej borxheve që Bashkia ka”. Ndeshja e akuzuar ndërmjet Tërbunit dhe Bylisit është vënë nën hetim nga Komisioni i Etikës në FSHF. Pasi të dëgjojë dëshmitë e protagonistëve të ndeshjes, ky organ do të japë një vendim rreth dyshimeve për paracaktim të rezultatit. Por, Kapllanaj tentoi ta kalojë këtë situatë vetëm me një batutë. “Unë the se nëse ka ndëshkime nga Komisioni i Etikës për ndeshje të luajtura dobët, në fund të kampionatit Kategoria Superiore do të mbyllet pa asnjë skuadër”.
Burimi: www.fkbylis.ml

0 Comments