Bylisi mori një barazim me vlera ndaj Partizanit në stadiumin “Qemal Stafa” aty ku ballshiotët nuk njohin humbje këtë sezon, pasi më parë kanë ndalur edhe Tiranën në një barazim 0-0.
Ajo që ra në sy në sfidën me të kuqtë, ishe debutimi i tre të rinjëve, Fejzaj, Doksani e Bregasi që luajtën gjatë gjithë 90 minutave.Paraqitja e tyre duhet konsideruar pozitive, ndërsa ballshiotët i kanë në planet e tyre për të ardhmen pasi shumë shpejt do të nënshkruhen kontrata afatgjata me ta, pasi bëjnë pjesë në planet e klubit për të ardhmen.
Ndërkohë për stafin teknik vjen një lajm i mirë, pasi rikthehen të gatshëm për sfidën me Flamurtarin, sulmuesi Pepa e mesfushori Gava që munguan ndaj të kuqve për shkak të pezullimit me kartonë.Gjithashtu pritet edhe rikthimi i Adenkules që mungoi ndaj Partizanit, ndërsa këtë herë për ballshiotët do të mungojë sulmuesi vlonjat Ardit Hoxhaj, që po kalonte një moment të mirë te Bylisi pasi ka shënuar 3 gola në dy ndeshjet e fundit duke i dhënë 4 pikë mjaft të vlefshme ballshiotëve në “luftën” për mbijetesë.
Dy javët e fundit për ekipin mallakastriot janë shumë të rëndësishme për ta, pasi luajnë fillimisht në shtëpi me Flamurtarin, e më pas e mbyllin fazën në Shkodër ndaj Vllaznisë, pra ky vit kalendarik do të mbyllet me dy “finale” mbijetese për ballshiotët, e nëse ia dalin me sukses atëherë mund të marrin frymë lirisht e të mendojnë të qetë për forcimin e skuadrës në merkaton e janarit.