Bylis,Kapllanaj premton nje impiant ndryshe

Pak javë më parë, drejtues të sektorit të licencimeve në FSHF inspektuan stadiumin “Adush Muça”, duke lënë edhe detyrat që duhet të plotësohen nga klubi ballshiot. Presidenti Agron Kapllanaj ka konfirmuar nisjen e punimeve në stadium pas pak ditësh.
“Do të ndërtohet një impiant me kushte bashkëkohore, duke i plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga institucioni i futbollit. Tribuna qendrore do të shembet e gjitha dhe do të ndërtohet sërish nga e para”, është shprehur Kapllanaj.
Ndërkohë, priten të krijohen kushte shumë më të mira për mediat dhe sektorin VIP. Jo vetëm tribuna qendrore, por edhe ajo përballë saj pritet të ndryshojë pamje. Në të gjithë impiantin do të vendosen stola plastikë. Sipas drejtuesve ballshiotë, plani i stadiumit të ri parashikon edhe sistemin e ndriçimit. Kjo është unike për Ballshin, teksa në sezonin e ri pritet të zhvillohen takime edhe gjatë mbrëmjeve, duke u dhënë një tjetër sadisfaksion tifozëve.
Presidenti i klubit ballshiot ka dhënë OK dhe punimet priten të nisin brenda këtij muaji, në mënyrë që gjithçka të jetë gati në kohën e duhur. Kriteret e kërkuara nga FSHF priten të vihen menjëherë në zbatim nga klubi ballshiot, edhe pse koha duket disi e shkurtër për të mbaruar në kohë gjithçka. Sidoqoftë, në klubin e Bylisit janë të bindur se stadiumi do të jetë gati.