Shoshi:Kam oferta,por nuk leviz nga Bylisi

“Jam rikthyer në formën time më të mirë, jam në kulmin e karrierës dhe besoj tek projekti që ka presidenca për të ndërtuar një skuadër me pretendime në Superligë”

Mariglen Shoshi, është një mbrojtësit e qendrës më të mirë në vend, për nga karakteristikat që ka, për lojën me dhe pa top. Shoshi, luan jo vetëm në mbrojtje në qendër dhe nga krahët por edhe në mesfushë, përpara mbrojtjes, detyra që t’i bëj shumë mirë. Me golin e shënuar në Lushnjë, në majin e shkuar, ai bëri që të mos harrohet nga breza të tërë në Ballsh dhe jo vetëm. Mariglen Shoshi, pritet që të jetë një nga pikat e forta të ballshiotëve dhe në sezonin e ardhshëm edhe pse siç e konfirmon ai në një prononcim për “Sport Ekspres”, ka oferta: “Po, kam oferta, tashmë jam në kulmin e karrierës, por dua që të siguroj drejtuesit dhe tifozët e Bylisit se nuk do të largohem. Do të qëndroj në Ballsh, pasi aty është shtëpia ime. Të gjithë më kanë respektuar shumë dhe emocionet që kam përjetuar në këtë sezon në atë qytet nuk do t’i harroj lehtë. Jam bërë që të ndihem me të vërtetë si hero, nga i madh e i vogël në qytetin e Ballshit. Tashmë, ne do të luajmë në Superligë. Na pret një sezon i vështirë, megjithatë unë besoj shumë tek projekti që ka presidenca jonë për të ndërtuar një klub me emër dhe për të qenë me pretime konkrete në garë. Që do të thotë se nuk do të hyjmë vetëm për mbijetesë”.
PRESIDENTI KAPLLANAJ – “Kam biseduar me presidentin Agron Kapllanaj, pas kampionatit kur dolëm edhe kampionë. Më ka shprehur garancinë totale, madje dhe projektin e tij si kryebashkiak i Ballshit. Do të ndërtoj një stadium me parametra bashkëkohorë, por do të ndërtojë edhe një ekip shumë të fortë, madje duke afruar lojtarët më të mirë në Superligë por edhe të huaj shumë cilësorë. Kam besim tek projekti i tij, ndaj edhe u premtoj besnikëri tifozëve dhe besojmë shumë se sezonin e ardhshëm do të lëmë gjurmë në elitë”, ka mbyllur prononcimin e tij mbrojtësi Shoshi.