Pankina çështje e hapur, në Ballsh këmbëngulin për Egbon

Pankina e Bylisit mbetet një çështje e hapur. Emra të ndryshëm janë lakuar së fundmi për stolin, por ende nuk ka asnjë zyrtarizim. Edhe pse Emanuel Egbo, i cili është pjesë e stafit të Tiranës, i ka dribluar mallakastriotët, këta të fundit nuk kanë hequr dorë. Ata synojnë rikthimin e afrikanit, teksa duan që t’i besojnë rolin e trajnerit të parë gjatë paraqitjes në Superiore. Emër tjetër, tejet potencial, është një tjetër “ish”, pikërisht Naxhi Shensoji.Kontakte me këtë të fundit ka pasur, por, me sa duket, kjo pistë ka pak gjasa që të realizohet. Sakaq, përtej dëshirës së madhe që kanë për Hulian Rubion, shanset janë thuajse zero. Por vlen të saktësohet se Roland Nenaj, i cili mbylli me sukses edhe kampionatin në Kategorinë e Parë, do të mbetet pjesë e stafit, por ndoshta në rolin e ndihmëstrajnerit. Fill pasi të emërohet trajneri, do mendohet seriozisht edhe për merkaton, pasi do të jetë ai që do të vendosë se kush do të afrohet. Orgest Buzi, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, i bën analizë sezonit që sapo u mbyll dhe flet për Superioren. Mbrojtësi fierak shprehet i lumtur që edhe një vit do të mbrojë ngjyrat e ballshiotëve. “Ishte një sezon shumë i vështirë për ne. E sidomos në fillim, pasi mjafton të kujtosh që ekipi u ndërtua vetëm një javë para startit të kampionatit. Por në merkaton e janarit, presidenca ndërhyri, duke afruar lojtarë cilësorë.Aty erdhi rritja për ne, pasi me kalimin e javëve erdhën fitoren dhe konkluzioni ishte vendi i parë. Sa i përket të ardhmes, as nuk e mendoj largimin. Në fakt, kam një kontratë me skuadrën ballshiote dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Do të jap maksimumin tim që të kthehem në një pikë kyçe për skuadrën edhe në Superiore. Në fakt, ëndrra ime është që të marr një ftesë nga Shpresat e Kombëtares e ndaj eksperiencën në Superiore do ta shfrytëzoj si trampolinë për të arritur edhe synimin personal”, tha Buzi.