Tifozët besojnë te projekti i Kapllanajt: Koha për Bylisin e ëndërruar

Në Ballsh pas festës së të dielës me humoristë dhe këngëtarë të mirënjohur, do të nisë puna për zyrtarizimin e stafit dhe afrimet e bujshme nga brenda dhe jashtë vendit


Në Ballsh të dielën do të festojnë, me këngëtarë të njohur por edhe humoristë që kanë spikatur vitet e fundit në sheshin e qytetit për suksesin e përjetuar në fund të sezonit, ku skuadra u rikthye në elitë dhe fitoi titullin kampion. Më pas drejtuesit, do të vënë në jetë edhe projektin e premtuar, ku synimi do të jetë ndërtimi i një Bylisi me pretendime dhe ambicie për të synuar majat edhe në elitë, ashtu siç ka bërë edhe vitet e fundit, ku para se ta rrëzonin nga Superliga, skuadra garonte dhe synonte trofe. Kreu i shoqatës së tifozëve, “Miqtë e Bylisit”, petrit Zotaj ka pohuar: “Ne besojmë tek projekti që ka presidenti ynë Agron Kapllanaj dhe duhet që t’i jemi mirënjohës atij, pëër atë që ka bërë për skuadrën, madje për dhjetë vite bashkë me familjen e tij. Ndaj edhe në Superligë, Bylisi është në duar të sigurta dhe pse jot ë paraqitet me dinjitet. Ndaj edhe ne duhet që të përkrahim atë, në të mirë të Bylisit dhe futbollit që është i vetmi argëtim në trevën tonë. Me sa di unë, presidenti Kapllanaj, ka biseduar me shumë futbollistë cilësorë, madje në Ballsh, do të afrohen lojtarë që kanë qenë titullarë tek Skënderbeu, Tirana, Flamurtari e shumë ekipe të tjera”, ka pohuar Petrit Zotaj, kreu i shoqatës së tifozëve, “Miqtë e Bylisit”.
ORGANIZIMI – me shumë gjasa, pas zgjedhjeve, do të jetë data 25 qershor si start i përgatitjeve për skuadrën ballshiote, madje duket se puna do të nisë nga stadiumi he infrastruktura si tek “Adush Muça” ashtu edhe tek aneksi. Kushtet do të përmirësohen, si për skuadrën e parë ashtu edhe për moshat, duke qenë se në Ballsh ka edhe disa skuadra fëmijësh që stërviten nga specialistë të njohur vendas.