Ilir Daja,Ja kerkesat e mia te Bylis

Trajneri Ilir Daja, me shumë mundësi, do të ulet në stolin e Bylisit, por për të nisur zyrtarisht punën, ai pret që drejtuesit e klubit t’i plotësojnë disa kërkesa, në mënyrë që ballshiotët të jenë dinjitozë në Kategorinë Superiore.
“Së pari, dua të them se kjo nuk është një çështje financiare. Unë ende nuk kam folur konkretisht me drejtuesit e klubit për rrogën time. Kam diskutuar gjatë ditëve të fundit vazhdimisht dhe së pari jam njohur me projektin që ka klubi. Në këto kushte, kam shprehur edhe kërkesat e mia që të nis më pas punën. Duke parë nivelin që ka Superiorja, kam kërkuar që të afrohen pesë lojtarë cilësorë, emrat e të cilëve unë nuk mund t’i them, pasi me negociatat po merren drejtuesit. Në momentet që do të më plotësohen këto kërkesa, atëherë të gjithë do të jemi më të qetë.Sigurisht, do të tregohesha jo i sinqertë, nëse do thosha se ana financiare nuk është parësore. Ky është element shumë i rëndësishëm dhe një garanci për vazhdimësinë, por së pari unë u kam paraqitur drejtuesve të Bylisit projektin sportiv, jo kërkesat për rrogën që do të marr apo detajet e tjera”, ka sqaruar Daja, i cili në vitet e fundit drejton akademinë e futbollit Dinamo, që merr pjesë me ekipe në kampionatet e çdo grupmoshe.
Për herë të fundit Daja ka drejtuar Besën në Superiore, në një kohë që kulmi i tij si trajner ka qenë shpallja kampion me Elbasanin në 2006-ën dhe Dinamon në 2008-ën.