Bylis,drejtuesit:Nuk ka marreveshje me asnje lojtar


Bylis vazhdon të shijojë pushimet dhe deri tani nuk ka kryer asnjë lëvizje. Shumë emra kanë qarkulluar nëpër media ditët e fundit, por askush nga drejtuesit e klubit nuk e pohon një gjë të tillë, madje deklarojnë se gjithçka përflitet nuk është e vërtetë.
“Lojtarët e Bylisit, së bashku me stafin drejtues, aktualisht janë duke shijuar pushimet e fundsezonit dhe për sa u përket lajmeve që qarkullojnë në media për emrat e trajnerëve apo dhe lojtarëve, nuk ka asgjë të vërtetë.
Deri tani nuk kemi pasur kontakte me asnjë lojtar apo dhe trajner. Grumbullimi i skuadrës do të bëhet pas datës 25 qershor ku do të zbardhet edhe projekti i klubit, si dhe do të mësohet edhe emri i trajneri të ri dhe lojtarëve që do të qëndrojnë në skuadër”, shprehen drejtuesit e Bylisit. Gjithashtu, ata mohojnë faktin se kanë pasur kontakte me trajnerin gjirokastrit, Mustafa Hysi, duke sqaruar që kjo gjë është thjesht një aludim.
Në Ballsh, edhe tifozët janë optimistë për krijimin e një ekipi tepër cilësor. Ndërkaq, në koncertin e së dielës, me rastin e ngjitjes së skuadrës në Superiore, që u zhvillua në qendrën e qytetit, ku ishin të pranishëm shumë qytetarë, presidenti Agron Kapllanaj u ka premtuar se do të krijojë një ekip të fortë dhe me emra të mëdhenj që janë pjesë e skuadrave elitë të futbollit shqiptar. Gjithashtu, u theksua që objektivat e klubit do të jenë të qarta, arritja në Kupat e Europës. Ndërkaq, është premtuar edhe rikonstruksioni total i stadiumit “Adush Muçaj” që të shndërrohet në një impiant modern.