Muça: Jam këtu për të rikthyer trofetë te Tirana

  • Synimi i parë i Muçës është që të shpallet kampion me bardheblutë
  • "Duhet të liberalizohet numri i të huajve. Ne do i bëjmë një propozim FSHF-së"
  • Presidenti, drejtori sportiv dhe drejtori i klubit kanë peshën e tyre, unë jam mësuar të punoj në staf
  • "Bashkëpunimi ynë do të jetë i gjatë. Nëse puna nuk mund të ecë, është normale që edhe një herë tjetër të ndahemi"Shkëlqim Muça, në konferencën e parë për shtyp si trajner i Tiranës, për mediet ka bërë të ditur se ka ardhur për të rikthyer trofetë në klubin bardheblu. Ai e di mirë se çfarë i duhet kësaj skuadre, ndërsa pohon se projekti është afatgjatë dhe se do të bëjë të mundur që të ecë me sukses.

    Synimi i parë i Muçës është që të shpallet kampion me bardheblutë. Ai e pohon se është vetëm trajner, ndërsa nuk do të merret me çështjet e menaxhimit. Në fjalët e tij të para ai ka thënë:

    Normalisht, kur kthehesh në shtëpi pas një kohe të gjatë, je shumë i emocionuar dhe shumë i gëzuar. Kam besim dhe natyrisht që është emocion i veçantë dhe përgjegjësia është më e madhe. Është tjetër ndjesi ajo që ke me klubin që i ke kushtuar karrierën që nga mosha 10-vjeçare. Jam shumë i emocionuar dhe me bashkëpunimin me klubin dhe presidentin Halili jam i bindur që do të regjistrojmë rezultate të mira. Do të shkojmë aty ku mendojmë, pra për të rikthyer Tiranën në elitë”.
    Halili dhe Muca
    Foto: Trajneri Shkëlqim Muça (majtas) dhe presidenti Refik Halili (djathtas)
    Profesor, presidenti po iu drejtohet me shumë familjaritet me emrin “Çimi”, kjo do të thotë që shkëputja nuk ka ndikuar në ruajtjen e raporteve njerëzore dhe tashmë profesionale…
    – Është e vërtetë. Atë ndjenjë unë e kam patur gjithnjë me klubin dhe me presidentin kemi patur marrdhënie normale. Kemi punuar për një kohë të gjatë, jo pak, por 5 vjet. Kur presidenti ishte bashkë me donatorët e tjerë. Ka qenë periudhë fantastike, kemi fituar shumë ato vite. Kam fituar shtatë trofe këtu. Këto i kam arritur falë këtij klubi. Nuk i arrin me lehtësi në klub tjetër, prandaj thashë që është ndjenjë e veçantë. Te ky klub punohet gjithnjë për të fituar. Që kur kam qenë lojtar, trajnerët nuk na kanë mësuar gjë tjetër, veçse të sulmojmë dhe të fitojmë.

    A ekzistojnë sanksione në kontratë nëse nuk shpalleni kampion apo të mos fitoni trofe?
    – Pikat në kontratë janë midis meje dhe presidentit. Ne i kemi diskutuar të gjitha. Bashkëpunimi ynë do të jetë i gjatë. Nëse puna nuk mund të ecë, është normale që edhe një herë tjetër të ndahemi. I rëndësishëm është interesi i klubit. Nëse nuk arrihen objektivat dhe nëse nuk bëhet puna, çdo gjë shkëputet. Unë jam që të gjithë të marrin përgjegjësinë e veta dhe të ruhet hierarkia. Në fund pastaj do të diskutojmë për punën tonë. Nuk na lidh kontrata, por idea për klubin tonë.

    Çfarë objektivi keni për këtë sezon?
    – Fola më përpara dhe e thashë që unë nuk kam mësuar gjë tjetër te Tirana, veçse të synojmë për të qenë kampionë.
    Tirana e re e Muçës kur do të nisë?
    – Ne do të nisim punën bashkë, kemi filluar madje. Çdo e keqe ka një të mirë. Mosmarrja pjesë në Europë këtë vit ka një minus, sidomos në anën financiare, por nga ana tjetër, na jep kohë që të punojmë dhe të sheshojmë çdo gjë për sezonin e ri. Na jep kohë që të krijojmë një ekip dhe një klub model.

    Çdo emigrant kur kthehet sjell edhe diçka në shtëpi, çfarë i keni sjellë ju Tiranës?
    – Do t’i sjell atë mentalitet që kam brenda meje. Kam punuar edhe më parë me presidentin Halili, ai më njeh mirë. Këtu do të krijohet një skuadër dhe mentaliteti është i tillë që lojtari të punojë për skuadrën, të dojë fanellën, të punojë për klubin. Në radhë të parë do të jetë interesi i klubit dhe më pas i çdo futbollisti.

    A e gjen Muça Tiranën të paktën me një bosht të formuar, pasi pjesa tjetër mbetet për të punuar…
    – Për këtë do të flasim më vonë. Unë e kam parë dhe e njoh mirë skuadrën. Këto janë gjëra që do të diskutohen në të ardhmen.

    Ndikumana është në planet e Muçës?
    – Thashë që nuk flas për asnjë futbollist në këtë moment.

    Flasim për modelin, ju do të bëni rolin e trajnerit, apo të trajnerit menaxher?
    – Unë nuk jam për trajner-menaxher. Jam që Tirana të funksionojë në grup. Presidenti, drejtori sportiv dhe drejtori i klubit kanë peshën e tyre, unë jam mësuar të punoj në staf. Jam nga ata persona që nuk i marr meritat për vete. Kam mendimin tim që nuk është trajneri që del kampion, por është klubi, prandaj meritat janë të përbashkëta. Pra, po punove në grup, rezultatet janë më të mira.
    U përfol për lojtarët e huaj, por sa hapësirë do të kenë lojtarët e Tiranës për të veshur këtë fanellë në ekipin e parë?
    – Jam dakord me atë që tha presidenti. Duhet vizion dhe strategji e veçantë. Duhet ristrukturuar akademia që të bëhet punë sa më profesionale. Trajneri i ekipit të parë duhet të marrë talentet. Është normale që klubi duhet të funksionojë. Është ekonomi tregu dhe kështu veprohet. Ne e kemi diskutuar me Devi Mukën më parë këtë gjë. Duke qenë klubi i shtetit, nuk ka qenë klubi askujt.

    Në rrjetet sociale tifozët thonë që nuk do ta harrojnë gëzimin tuaj kur keni fituar ndaj Tiranës si trajner i Skënderbeut. Keni një përgjigje për këtë?
    – Është e vërtetë. Por, unë kam 7 vjet që nuk kam qenë këtu. E kam kryer dënimin tani. Këta njerëz të kthehen pas në kohë, nga 2007-a e poshtë, sepse kam patur disa trofe të tjerë te Tirana. Të pyesin dhe baballarët e tyre të viteve 80-të. Unë i respektoj, sepse janë lojtari i 12-të i Tiranës. Por me punën time dhe të grupit do të bëjmë që të gjithë të kthehen në anën tonë.
    Ju keni nënshkruar kontratë 3-vjeçare, ndërkohë që ekipi a do të ketë kontrata afatgjata?
    – Kjo është menduar dhe do të mendohet me kalimin e kohës. Megjithatë, kjo është çështje e menaxhimit. Në kohën dhe në momentin e duhur do të diskutohet saktësisht.

    A do të keni një iniciativë që t’ia propozoni Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së që të rritet numri i lojtarëve të huaj në kampionatin shqiptar?
    -Mirë do të ishte që të liberalizohej, pasi kampionati është shumë konkurrues. Besoj se duhet të shkojë minimumi 6 futbollistë. Nuk është vetëm problemi i pjesëmarrjes në Shqipëri, por i asaj në Europë, e cila të jep shumë të ardhura. Duke marrë të ardhura, ekipi forcohet me shumë lojtarë dhe natyrisht bëhemi më të fortë. Duke marrë lojtarë cilësorë nga kampionatet përreth, atëherë shanset janë më të mëdha për të ecur në dy-tre ture në Europë. Prandaj duhet të liberalizohet numri i të huajve. Ne do e bëjmë një propozim.