Ish-trajneri i Bylisit që arriti ta çonte ekipin në finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Laçit, Naxhi Shensoji, në një prononcim për “Panorama Sport” ka sqaruar zërat që kanë të bëjnë me një rikthim të tij në Ballsh.
“Jam informuar se emri im është lakuar në media për një rikthim në drejtimin e Bylisit. Së pari, dua të uroj klubin e Bylisit, klubin tim të parë ku kam punuar në Shqipëri, me të cilin kam shkuar deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, për rikthimin në Superiore. Dua të tregohem i sinqertë, pasi nga drejtuesit e Bylisit nuk më ka ardhur asnjë ofertë zyrtare deri më tani. Nëse do të më vinte një ofertë e tillë, do ta trajtoja si një profesionist të vërtetë, që ka punuar në 6 shtete të ndryshme. Momentalisht jam duke analizuar ofertat që më kanë mbërritur prej disa klubeve të ndryshme. Por, po flas hapur, për momentin nuk kam plane për të punuar sërish në Shqipëri. Gjithsesi, një ditë mund të rikthehem. Jam trajner profesionist dhe asnjëherë nuk i dihet së ardhmes. Mirëpo, për të folur hapur, futbolli shqiptar ka probleme, që u përkasin marrëdhënieve sportive, si dhe trukimit të ndeshjeve. Atje futbolli nuk përjetohet nga asnjë instancë si ‘fair-play’. Mendoni se ka trukime në Shqipëri? – Ju nuk mendoni kështu? Për fat të keq, derisa nuk ndryshohet drejtimi dhe motivacioni për t’i shërbyer futbollit shqiptar, gjithmonë ka për të pasur trukime ndeshjesh në kampionatin shqiptarë”, u shpreh Shensoji.