Ja afrimet e para





Bylis “godet” pritet firma 
e Ristevskit, Hajdarit dhe 
sulmuesit të Nigerisë

Presidenti Agron Kapllanaj, duket se ka joshur futbollistët e dalluar për t’i bërë pjesë të projektit për një skuadër që të synojë Kupat e Evropës. Firmat hidhen javën tjetër

Ballshiotët duket se do të hyjnë intensivisht në merkato dhe ashtu siç ka premtuar presidenti Agron Kapllanaj, tashmë po kthehen në realitet. Bylisi duket se ka gjetur akordin me dy lojtarë që kanë spikatur në Superligë. I pari është maqedonasi, Kire Ristevski, i cili ka pohuar se është kontaktuar nga Bylisi dhe se me shumë gjasa do të vijë në Ballsh që të vazhdojë karrierën. Kure tjetri është lojtari i Vllaznisë në sezonet e fundit, i cili është kërkuar edhe nga ekipet e tjera, por ashtu siç ka pohuar vetë është joshur nga oferta që i kanë bërë drejtuesit e ballshiotëve dhe presidenti Kapllanaj. Por, goditja më e madhe që do të bëjë Bylisi është një sulmues nigerian. Siç ka pohuar stafi drejtues, kontaktet janë drejt avancimit dhe bëhet fjalë për një futbollist që nuk është më shumë se 22 vjeç dhe që ka luajtur me kampionen e Nigerisë, Kano Pillars. Ballshiotët kanë pasur si pistë tregun nigerian vitet e fundit, madje duke afruar në gjirin e tyre edhe lojtarë që kanë spikatur. Gjatë kësaj periudhe presidenca ballshiote është kujdesur shumë që skuadra të mos nxitohet në merkato dhe të afrohen elementët e duhur. Me sa duket ballshiotët janë duke arritur që të bëjnë të vetët kualitete dhe lojtarë me emër, me të cilët kanë gjetur akordin. Bylisi është njohur me shortin, ndërsa bëhet e ditur se në ditët e ardhshme do të ketë edhe të tjerë emra nga merkato, madje priten futbollistë që kanë luajtur në kryeqytet sezonin e shkuar por edhe me Skënderbeun apo dhe sllavë e nigerianë. Me sa duket, presidenti Kapllanaj është i vendosur që krahas stadiumit që do e përfundojë në kohë rekord duke e kthyer në një impiant nga më modernët në vend, të ndërtojë edhe një skuadër shumë të fortë dhe me objektiva madhorë për t synuar trofe.