PROJEKTET E BYLISIT "ZBARDHEN" PAS 21 QERSHORIT


Bylisi do të mblidhet pas 21 Qershorit dhe një gjë të tillë e konfirmojnë burime pranë klubit ballshiot. Nga sa bëhet e ditur, të gjithë janë të fokusuar tek zgjedhjet për bashkinë, ndërsa nga sa bëhet e ditur organizimi dhe projektet për Superligën do të vihen në jetë vetëm në fund të këtij muaji ose në fillim të korrikut. Pritet që atëherë të nisin përgatitjet për ndërtimin e stadiumit të ri si dhe afrimet në merkato ku vetë presidenti Agron Kapllanaj ka premtuar ndërtimin e një ekipi cilësorë dhe me ambicie Bylisi rikthehet në elitë si Kampion i së Parës, ku qëndroi vetëm një sezon. Madje e provoi Kategorinë e Parë, si shkak i përjashtimit që ju bë vjet dhe jo nga pikaverazhi. Gjithsesi, nga ajo që bëhet e ditur është fakti se skuadra ka në kontratë një grup prej 15 lojtarësh një pjesë e të cilëve titullarë të edicionit të shkuar në të Parën dhe pjesa tjetër nga ata që janë të huazuar në skuadra të Kategorisë së Parë dhe të Dytë.
TRAJNERI – Klubi i Bylisit dëshiron që të sqarojë edhe çështjen e trajnerin, duke qenë se në media është spekuluar shumë me emra, mes tyre edhe nga ata që e kanë drejtuar në elitë vite më parë. Janë përmendur emrat e Shensoit dhe Egbosë, por klubi ballshiot ka mbajtur këtë qëndrim: “Po fliten shumë emra trajnerësh, që ne i respektojmë për kontributin e tyre te Bylisi. Egbo na ka uruar pas ngjitjes në Superligë dhe fitimit të trofeut. Ai ka një kontribut të çmuar në Ballsh, si portier i spikatur, por edhe si një pjesëtar stafi dhe trajner i parë. Bashkë kemi arritur suksese, por i urojmë suksese Egbosë, duke qenë se ai tashmë e ka një ekip, ku edhe është i fokusuar. Për Egbonë dhe këdo trajner dyert janë të hapura në Ballsh, madje çdo “jabanxhi” që punon në klubin tonë do të ndihet i vlerësuar dhe i respektuar. Por momentalisht nuk kemi pasur asnjë kontakt, si me Egbonë, ashtu edhe me ndonjë trajner tjetër, i cili është përfolur për të drejtuar Bylisin. Klubi ka ide të qarta për Superligën dhe gjithçka fillon pas 21 qershorit”.

10 Vjet
punoi Egbo në Ballsh ai erdhi si portier në Kategorinë e Parë dhe Superligë më pas u bë pjesë e stafit, derisa në sezonin 2013-2014 u bë trajner i parë.